Vajza Shqiptare-Amerikane, Alma Tabaku, studente e Greenway Academy ka treguar një entuziazëm dhe përkushtim të madh për të përsosur leximin e librit të Zotit, Kuranit.
Më shumë se dy vjet më parë, pasi zotëroi rregullat e Texhvidit dhe arriti një shqiptim të shkëlqyeshëm të shkronjave arabe dhe atributeve të tyre (maharixh el-hurūf ve el-sifāt), ajo ishte gati të fillonte leximin e saj (tilavet) të Kuranit me synimin që të merrte një Ixhazet (kompetencë të plotë dhe autorizim për t’ua mësuar të tjerëve leximin e Kur’anit sipas rregullave).
Ixhazeti me të cilin ajo filloi të punonte përfshin dy lexime të ndryshme të Kuranit; ai i Imam Hafsit, lexim klasik të cilin e ka përcjellur Imam Asimi dhe ai i Imam Shu’bahit të cilin gjithashtu ka transmetuar Imam Asim (Allahu i mëshiroftë të gjithë ata).
Teksa filloi këtë rrugë të bekuar të dijes, Alma u përqendrua në mësimin e jetës së imamëve klasikë të lartpërmendur dhe më pas u njoh me dallimet midis dy leximeve të ndryshme.
Zoti i Plotfuqishëm, me mëshirën e Tij ia mundësoi të përfundonte me sukses leximin e të gjithë Kuranit dhe të merrte Ixhazetin nga myftiu Didmar Faja në prani të dy dëshmitarëve të tjerë, të cilët gjithashtu arritën ixhazet dhe e mësuan përmendësh të gjithë Kuranin vite më parë; Hafiz Abdul Malik Muhammed dhe Hafiz Shadi Al Masri.
Zoti e ndriçoftë zemrën dhe mendjen e Almës me mësimet e Kuranit dhe e bëftë atë një ndjekëse të mirë të Profetit të dashur Muhamed (a.s.).
UICA dhe familja e Almës përgatitën këtë ceremoni në Qendrën e Bashkuar Islame të Arizonës më 21 korrik 2023.

