Pesë Çelësat e një Xhamie Efektive

Pesë Çelësat e një Xhamie Efektive

Hutbe e Xhumasë e mbajtur nga Imami Didmar Faja
në United Islamic Center of Ariona me 31 Tetor 2025

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Ne e lavdërojmë Atë, kërkojmë ndihmën dhe faljen e Tij. Kërkojmë strehim tek Allahu nga të këqijat e vetvetes dhe nga veprat tona të liga. Atë që Allahu e udhëzon, askush s’mund ta humbasë, dhe atë që Ai e lë të humbasë, askush s’mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të denjë për adhurim përveç Allahut, Një, i pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Suksesi i komunitetit mysliman nuk matet me numrin e projekteve që shpallim apo me muret që ngremë, por me sa e gjallë është xhamia jonë.

Xhamia është pulsi i umetit — nëse ai rreh fort, umeti lulëzon; por nëse dobësohet, të gjithë ne ndiejmë pasojat. Më poshtë janë pesë çelësat e një xhamie efektive.

  1. Xhamia, Vend Adhurimi (ʿibādeh)

Qëllimi i parë i xhamisë është të japë jetë namazit (Ṣalāh). Në Kuran, Allahu i Lartësuar thotë:

فِي بُيُوتٍ أَذِنَ اللَّهُ أَنْ تُرْفَعَ وَيُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ يُسَبِّحُ لَهُ فِيهَا بِالْغُدُوِّ وَالْآصَالِ
رِجَالٌ لَا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ ۙ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ

“Në shtëpitë (e adhurimit) që Allahu ka urdhëruar të ngrihen dhe në to të përmendet emri i Tij; në to madhërohet Ai në mëngjes dhe në mbrëmje, (në to janë) burra që as tregtia e as shitja nuk i shpërqendron nga përmendja e Allahut, nga falja e namazit dhe dhënia e zekatit; ata i frikësohen një Dite kur zemrat dhe sytë do të përmbyten.” Kur’ani (24:36–37)

Termi ‘ibādeh (adhurim) përfshin shumë më tepër sesa vetëm namazin. Ai përfshin leximin e Kuranit, pritjen në xhami nga një namaz në tjetrin për ta falur në xhemat, përmendjen e Allahut, dhe dërgimin e salavateve mbi Profetin (a.s) përmes dhikrit. Po ashtu, përfshin mësimin e dijes së dobishme për Ahiretin, mësimin e të tjerëve, dhe ndihmën ndaj dikujt në nevojë brenda xhamisë. Të gjitha këto janë vepra adhurimi.

Shumë prej nesh që jemi rritur në vende me shumicë myslimane, jemi mësuar të dëgjojmë ezanin që kumbon nga minaret dhe të kemi një xhami apo musal-la pranë çdo lagjeje. Këto xhami u ndërtuan që njerëzit që ta kenë të lehtë të mblidhen për faljet e përditshme dhe për tubimet fetare.
Kjo traditë buron nga theksi që Profeti Muhamed (a.s) i vuri faljes në xhemat, kur tha:

صَلَاةُ الْجَمَاعَةِ تَفْضُلُ صَلَاةَ الْفَذِّ بِسَبْعٍ وَعِشْرِينَ دَرَجَةً

“Namazi në xhemat është njëzet e shtatë herë më i vlefshëm sesa namazi që falet individualisht.”
— (El-Buhārī dhe Muslim)

Prandaj, sidomos në vendet ku ezani nuk dëgjohet publikisht, është detyrë e jona t’i ringjallim dhe t’i popullojmë xhamitë tona. Duhet të përpiqemi të kryejmë adhurimet tona në to, që xhamitë të mbeten qendra të gjalla të besimit dhe të bashkimit midis njëri-tjetrit.

Në shumë vende, sidomos në Perëndim, drejtuesit e xhamive ofrojnë shërbime të ndryshme për t’i afruar njerëzit me xhaminë — si fusha basketbolli, palestra për burra dhe gra, etj. Këto iniciativa janë të lavdërueshme, por ato nuk duhet të bëhen qëllimi kryesor i frekuentimit të xhamisë. Edhe nëse disa i shohin ashtu, është përgjegjësia e udhëheqësisë së xhamisë të drejtojë vazhdimisht vëmendjen e njerëzve drejt qëllimit themelor — adhurimit dhe përmendjes së Allahut.

  1. Xhamia, vend ku mësohet Edukata dhe Morali (el-Terbijeh ve el-Ahlāk)

Myslimanët duhet të zhvillojnë dhe vishen me sjelljet e tyre unike islame si brenda xhamisë, ashtu edhe jashtë saj.

Këto sjellje nuk duhet të shfaqen vetëm ndaj atyre që njohim, ndaj njerëzve me të cilët ndajmë të njëjtën prejardhje apo kombësi, por duhet të shtrihen njësoj ndaj të gjithë besimtarëve, veçanërisht atyre që frekuentojnë xhaminë.

Shfaqja e sjelljeve të mira ka ndikim të thellë në zhvillimin e karakterit tonë dhe ndikon fuqishëm tek ata me të cilët ndërveprojmë. Njerëzit shpesh krijojnë përshtypje për ne jo vetëm nga ajo që themi apo bëjmë, por nga mënyra se si e themi apo e bëjmë.

Dikush mund të flasë drejt apo të japë këshillë të mirë, por nëse ajo përcillet pa edukatë dhe butësi, mund të mos dëgjohet fare. Në të kundërt, sjelljet e mira i bëjnë fjalët dhe veprimet tona të respektuara, të pranuara dhe të dashura.

Një shembull i qartë i mësimit të Profetit (a.s) për rëndësinë e sjelljeve është rasti kur një beduin urinoi në xhami. Sahabët menjëherë u ngritën për ta ndaluar, por Profeti (a.s) tha:

دَعُوهُ، وَهَرِيقُوا عَلَى بَوْلِهِ سَجْلًا مِنْ مَاءٍ

“Lëreni, dhe derdhni një kovë me ujë mbi urinën.” Pastaj ai shpjegoi:

إِنَّمَا بُعِثْتُمْ مُيَسِّرِينَ وَلَمْ تُبْعَثُوا مُعَسِّرِينَ

“Ju jeni dërguar që t’i lehtësoni gjërat, jo që t’i vështirësoni.” (El-Bukhārī)

Profeti (a.s) e shfrytëzoi këtë rast për t’u mësuar shokëve të tij se mëshira duhet të paraprijë disiplinën.
Po ai njeri, më vonë, i prekur nga butësia e Profetit, tha: “O Allah, mëshiro mua dhe Muhamedin (a.s) — dhe askënd tjetër!” Atëherë Profeti (a.s) buzëqeshi dhe tha:

لَقَدْ تَحَجَّرْتَ وَاسِعًا

“E ke ngushtuar atë që është e gjerë.” (duke iu referuar mëshirës së Zotit)

Ky tregim përmban një mësim të përjetshëm: edukimi dhe formimi islam nuk është kontroll apo ashpërsi, por kultivim dhe përmirësim i butë.

Nëse udhëheqësit, mësuesit apo vullnetarët e xhamisë bëhen të ashpër, kritikues apo gjykues, ne rrezikojmë të humbasim metodën profetike të mëshirës dhe lehtësimit.

Udhëzimi i vërtetë duhet të bazohet në butësi, durim dhe shembull personal, ashtu siç e shfaqi Profeti (a.s) në jetën e tij.

  1. Xhamia, Vend i Shërbimit (hidmeh)

Frekuentuesit e rregullt të xhamisë janë njerëz të besimit — njerëz që punojnë për pastërtinë shpirtërore dhe fizike. Për ta, Allahu thotë në Kuran:

فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَنْ يَتَطَهَّرُوا ۚ وَاللّٰهُ يُحِبُّ الْمُطَّهِّرِينَ

“Brenda saj (xhamisë) ka njerëz që e duan pastrimin, dhe Allahu i do ata që pastrohen.” (Sūre el-Tevbeh, 9:108)

Gjithashtu, Profeti Muhamed (a.s), kur përshkroi njerëzit që e frekuentojnë shpesh xhaminë, tha:

إِذَا رَأَيْتُمُ الرَّجُلَ يَعْتَادُ الْمَسَاجِدَ فَاشْهَدُوا لَهُ بِالْإِيمَانِ

“Nëse e shihni një njeri që frekuenton shpesh xhamitë, dëshmoni për besimin e tij.” (Transmetuar nga al-Tirmidhī)

Prandaj, këta besimtarë, nuk kujdesen vetëm për veten e tyre, por tregojnë përkushtim edhe ndaj të tjerëve përreth. Meqë xhamia është qendra ku bashkohet komuniteti, besimtarët që e frekuentojnë rregullisht janë më të vetëdijshëm për gjendjen dhe nevojat e të tjerëve. Ata e dinë kush kalon vështirësi ekonomike, në mënyrë që ta ndihmojnë; kush është i sëmurë, që ta vizitojnë e ngushëllojnë; kush kërkon punë, që ta mbështesin ose ta lidhin me dikë që mund ta ndihmojë.

Po ashtu, ata janë të ndjeshëm ndaj nevojave të vetë xhamisë, duke kontribuar përmes vullnetarizmit, aftësive të tyre apo pasurisë, me bindjen se çdo kontribut i sinqertë në shërbim të shtëpisë së Allahut është një bekim dhe përgjegjësi.

Një xhami e gjallë nuk kufizohet vetëm brenda katër mureve të saj; ajo e shtrin dritën dhe mëshirën e saj përtej tyre. Bëhet qendër shërbimi, udhëzimi dhe mëshire, që mbështet familjet, edukon fëmijët, ndihmon të varfrit dhe forcon unitetin mes fqinjëve.

Përmes kësaj kujdesjeje, xhamia e përmbush rolin e saj të vërtetë si zemra e komunitetit mysliman — një vend ku ushqehet besimi, forcohen lidhjet dhe vlerat islame vihen në praktikë për të mirën e shoqërisë në tërësi.

Të kesh mundësinë të ndihmosh të tjerët, veçanërisht përmes një përpjekjeje komunitare në xhami, nuk duhet parë si një nder që i bëjmë të tjerëve apo vetë xhamisë, por si një shenjë dashurie nga Allahu, i cili të zgjedh të bësh vepra që Ai është i kënaqur me to.

Në sytë e Allahut, njerëzit e tillë janë ndër më të mirët, sepse veprimet e tyre shfaqin besim, devotshmëri dhe vetëmohim.

Profeti (a.s) ka thënë:

خَيْرُ النَّاسِ أَنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ

“Ndër njerëzit më të mirë janë ata që janë më të dobishëm për njerëzit.” (El-Muʿxhem el-Evsaṭ)

  1. Xhamia, Vend i Dijes (ʿilm)

Dija e dobishme është ajo për të cilën Profeti (a.s) ka bërë dua dhe ia ka mësuar shokëve të tij në xhaminë e Medinës.

Ndër shokët e tij që shfaqën një përkushtim të veçantë ndaj dijes në xhaminë e Profetit (a.s) ishin Ehl el-Ṣuffeh — një grup i njohur për zuhd-in (asketizmin) e tyre, shoqërimin me Profetin (a.s), përkushtimin ndaj mësimit dhe përcjelljen e dijes tek të tjerët.

Këta ishin njerëz që jetonin dhe mësonin në xhami bashkë me Profetin (a.s).

Nga radhët e tyre ishte Ebū Hurejreh (r.a.), i cili u bë transmetuesi më i madh i haditheve, duke përcjellë më shumë se 5000 hadithe të Profetit (a.s).

Po ashtu, ishin dhe ʿAbdullāh bin Mesʿūd (r.a.) dhe Ubayy ibn Kaʿb (r.a.), të cilët ishin të shquar në Kur’an. Ata konsideroheshin si dijetarë të fesë nga sahabët e tjerë. Në lidhje me ta, Profeti (a.s) u shpreh:

خُذُوا الْقُرْآنَ مِنْ أَرْبَعَةٍ: مِنِ ابْنِ أُمِّ عَبْدٍ (ابن مسعود)، وَمُعَاذِ بْنِ جَبَلٍ،وَأُبَيِّ بْنِ كَعْبٍ، وَسَالِمٍ مَوْلَى أَبِي حُذَيْفَةَ

Profeti (a.s) tha: “Mësoni Kuranin nga katër persona: Ibn Umm ʿAbd (d.m.th. Ibn Mesʿudi), Muʿādh ibn Jabal, Ubayy ibn Kaʿb, dhe Sālim – robi i liruar i Abū Ḥudhayfah.” – (Sahīh al-Buhārī dhe Muslim)

Gjatë shekujve, xhamitë — përmes sistemit të tyre të medreseve — kanë nxjerrë individë që u bënë dijetarë, imamë, juristë, teologë, gjykatës, muftinj, psikologë, matematikanë e më shumë.
Këta dijetarë nuk ndikuan vetëm në komunitetet e tyre lokale, por kontribuuan në mënyrë të thellë në zhvillimin e dijes dhe urtësisë për gjithë njerëzimin.

Emra si Imam Ebū Ḥanīfeh, Imam Mālik, Imam el-Shāfiʿī, Imam Aḥmed, Imam Ghazālī dhe Ibn Haldūn janë dëshmi të qëndrueshme të ndikimit të dijes islame.

Kontributet e tyre vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe sot, për myslimanët dhe jo-myslimanët.

Xhamitë tona sot duhet të synojnë të jenë qendra të dijes, jo vetëm për mësimin e bazave të Islamit, por edhe për të nxitur studimin e thellë të disiplinave të pasura të traditës sonë.
Megjithatë, këto qendra nuk duhet të jenë vende ku dija mësohet për t’u lavdëruar, për të fituar debate apo për t’u dukur, por vende ku dija kërkohet për kuptim, pastrim shpirtëror dhe shërbim ndaj shoqërisë.

Profeti (a.s) paralajmëroi:

لا تَعلَّموا العِلمَ لتُباهوا بِهِ العُلماءَ، ولا تُمارُوا بِهِ السُّفَهاءَ، ولا تُخيَّروا بِهِ المجالسَ، فمَن فعلَ ذلك فالنَّارُ النارُ

“Mos e mësoni dijen për t’u mburrur para dijetarëve, për të sfiduar të paditurit apo për të fituar vende nderi nëpër mbledhje. Kush e bën këtë, zjarri (është për të), zjarri.” (Transmetuar nga Ibn Mājah dhe të tjerë)

  1. Xhamia, Vend i Lidhjes dhe bashkimit (el-ṣileh)

I dërguari i Allahut, Mhammedi (a.s), kur hyri në Medinë, ndërtoi vëllazërinë mes. Muhaxhirëve dhe Ensarëve përpara se të bashkonte blloqet blloqet e xhamisë.

Kur ne rreshtohemi në saf për t’u përgatitur për namaz, kjo nuk duhet të jetë vetëm një rreshtim fizik, por një simbol i lidhjes shpirtërore dhe unitetit që duhet të ekzistojë mes nesh edhe jashtë namazit.
Do të ishte e pakuptimtë të qëndronim në rreshta të drejtë gjatë namazit, ndërkohë që jemi të ndarë, të panjohur me njëri-tjetrin dhe nuk ndihmojmë kur dikush nga komuniteti ka nevojë.

Xhamia në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) nuk ishte një vend ku njerëzit vinin e iknin thjesht për namaz; ajo ishte qendra e jetës së bashkësisë — një vend ku njerëzit mësonin, këshilloheshin, ndihmonin dhe kujdeseshin për njëri-tjetrin.

Ishte një hapësirë arsimi, konsultimi, mëshire dhe solidariteti, ku ndërtohej si shpirti i besimtarit, ashtu edhe shoqëria.

Prandaj, rreshtimi ynë në saf duhet të na kujtojë se duhet të qëndrojmë bashkë edhe në jetë, jo vetëm në adhurim — duke forcuar ndjenjën e vëllazërisë, përgjegjësisë dhe dhembshurisë.
Uniteti i vërtetë në xhemat nuk matet vetëm me drejtësinë e rreshtave në namaz, por me forcën e lidhjeve mes zemrave, me ndihmën që i ofrojmë njëri-tjetrit dhe me kujdesin që tregojmë brenda dhe jashtë mureve të xhamisë. Për këtë, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:

المؤمنُ للمؤمنِ كالبنيانِ يشدُّ بعضُه بعضًا

“Besimtari për besimtarin është si ndërtesa; secila pjesë e saj forcon tjetrën.” – (al-Bukhārī dhe Muslim)

Në përfundim, një xhami me qëllim nuk është vetëm një ndërtesë, por një zemër që rreh për adhurim, moral, shërbim, dije dhe bashkësi.

Kur i përdorim këto pesë çelësa, ne ndërtojmë një komunitet të rrënjosur në besim, dhembshuri dhe unitet.

Allahu na udhëzoftë që xhamitë tona t’i bëjmë qendra të gjalla të umetit, ku përmendja, mëshira dhe drita e Tij të pasqyrohen në çdo veprim e çdo marrëdhënie.

Kliko këtu për ta shkarkuar në pdf: