Lidhja me Zotin dhe Njerëzit dhe Zgjimi nga Jeta Monotone

Lidhja me Zotin dhe Njerëzit dhe Zgjimi nga Jeta Monotone

Nga Imam Didmar Faja

7 Shtator, 2025

Arizona, ShBA

________________________

Jetojmë në një kohë kur njerëzit janë të rrethuar nga të tjerët, por ndihen më të shkëputur se kurrë. Përparimi teknologjik ka arritur kulmin, por kënaqësia shpirtërore është në minimum. Fitimet tona janë më të mëdha, por ndjenja e mirësive shpesh mungon. Ne falemi, agjërojmë, por prapëseprapë ndiejmë një distancë nga Krijuesi ynë.

Disa thonë: “A nuk është kjo thjesht pjesë e jetës, ngaqë shumë kryejnë universitetin, krijojnë familje, thellohen në punë e biznese të ndryshme?” Po, pjesërisht. Por kur Dynjaja (jeta materiale) merr drejtimin e jetës sonë, ajo na boshatis. Kurse, nëse e vëmë jetën materiale nën kontroll dhe i nënshtrohemi Allahut, Ai na jep të shijojmë si begatitë e kësaj bote po ashtu edhe mirësitë shpirtërore.

Brezat e kaluar

Ta nisim me pak reflektime mbi jetën e të parëve tanë. Ata jetonin më thjeshtë, por lidhja e tyre me Allahun dhe krijesat e Tij ishte e thellë dhe e sinqertë. Kur thoshin “Bismilah”, e thoshin me zemër. Namazet e tyre ishin me përqendrim e përulësi. Marrëdhëniet me fqinjët dhe të afërmit ishin të forta. Shoqëroheshin me mençuri dhe e bartnin kulturën me dinjitet. Thjeshtësia, afërsia dhe ndershmëria me njerëzit dhe ajo shpirtërore ishin thelbësore në karakterin e tyre, për atë patën ndikime të thella dhe lanë pas kujtime të fuqishme.

Rëndësia e lidhjes me njerëzit dhe vlerësimi i kujtimeve

Më poshtë do të përmendi në pika të shkurtra rëndësinë e lidhjes me njerëzit dhe vlerësimin e kujtimeve.

  1. Përmes lidhjeve me të tjerët, njeriu fiton mençuri dhe përvojë.

Në Kuranin Famëlartë, Allahu (xh.sh.) thotë:

یَـٰٓأیََُّها ٱلنَّاُس إِنَّاَخلْقَنَُـٰكمِّ من ذََكٍۢرَوأنُثىََٰ وَجَعْلنَُـٰكْمُ شُعوۭبًا وقبَآَئَِل لِتَعَاَرفٓوُا۟

“O njerëz, Ne ju krijuam prej mashkulli e femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush.” (Sure El-Huxhurat, 49:13)

Sipas ajetit të lartpërmendur, mund të konkludojmë se njohja me njëri-tjetrin sjell shkëmbim përvoje dhe mençurie, si në aspektin individual ashtu edhe në atë shoqëror.

Është interesant dhe plotësisht me vend fakti se në Kuran, Allahu (xh.sh.) vazhdimisht na urdhëron të kujtojmë profetët që Ai i ka dërguar me mirësi. Duke përmendur ngjarjet e njerëzve më të mirë të njerëzimit dhe duke reflektuar mbi karakteret e tyre, njeriu ngulit në kujtesën e tij ngjarje dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë, fillon të vishet me cilësitë e tyre fisnike. Në Kuran thuhet: “Dhe përmend në Librin Musain… Merjemen… Ibrahimin… Idrisin… Ismailin…”

(Sure Merjem, 19:51–54).

  1. Kujtimet e mira e forcojnë emocionalisht njeriun gjatë sprovave

Kur njeriu lidhet ngushtë me ngjarjet që përmenden në Kuranin fisnik dhe me thëniet profetike të të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (a.s.), besimtari gjen ngushëllim përmes tyre, edhe nëse nuk ka njerëz që ta ngushëllojnë. Këto i mbjellin në zemër shpresë dhe qëndrueshmëri. Në Kuran thuhet:

وَكُلًّا نَّقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنبَاءِ الرُّسُلِ مَا نُثَبِّتُ بِهِ فُؤَادَكَ ۚ وَجَاءَكَ فِي هَٰذِهِ الْحَقُّ وَمَوْعِظَةٌ وَذِكْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ ‎﴿١٢٠﴾‏

“Ne të tregojmë ty çdo rrëfim për të dërguarit, për ta forcuar me to zemrën tënde. Në këto rrëfime ka ardhur tek ti e vërteta, këshilla dhe përkujtim për besimtarët.” (Sure Hud, 11:120)

  1. Kujtesa e ndihmon njeriun të mos përsërisë gabimet e së kaluarës

Në Kuranin Famëlartë thuhet:

قُلْ سِيرُوا فِي الْأَرْضِ فَانظُرُوا كَيْفَ كَانَ عَاقِبَةُ الَّذِينَ مِن قَبْلُ ۚ كَانَ أَكْثَرُهُم مُّشْرِكِينَ ‎﴿٤٢﴾‏

“Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë e shikoni si ka qenë fundi i atyre që ishin para jush.”

(Sure Er-Rum, 30:42)

Ndërsa i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) thotë:

لا يُلْدَغُ المُؤْمِنُ مِن جُحْرٍ واحِدٍ مَرَّتَيْنِ

“Besimtari nuk pickohet dy herë nga e njëjta vrimë.” (Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi)

  1. Ndërtimi i lidhjeve me të tjerët është Urdhër Hyjnor

Kjo përfshin Silet er-Rahm (ruajtjen e lidhjeve farefisnore) dhe Emr bil Ma’ruf (urdhërimin për mirë), të cilat jo vetëm që përmirësojnë, por edhe forcojnë karakterin dhe moralin tonë. Të dyja këto parime nuk mund të zhvillohen vërtetë nëse njeriu nuk kultivon lidhje të sinqerta me të tjerët. Në Kuran thuhet:

وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ ۚ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا ‎﴿١﴾‏

“Kijeni frikë Allahun, në emër të të Cilit ju kërkoni gjëra nga njëri-tjetri, dhe respektoni lidhjet farefisnore. Vërtet, Allahu është gjithmonë Mbikëqyrës mbi ju.” (Sure En-Nisa, 4:1) Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.) shprehet:

منَ دَّلَ عَلىَ خيٍْرفََلُهِ مثُْل أَْجِر فَاِعلِِه

“Kush udhëzon dikë drejt një vepre të mirë, ka shpërblimin e njëjtë me atë që e kryen atë.”

(Transmeton Imam Muslimi)

  1. Lidhjet mes njerëzve forcojnë shoqërinë

Çdo fjalë që themi dhe çdo gjest që bëjmë lë gjurmë në zemrat dhe mendjet e njerëzve përreth nesh. Ndikimi ynë personal, sado i vogël të duket, shtrihet përtej individit dhe ndikon në mënyrën se si funksionon shoqëria. Kur njeriu ndikon pozitivisht në rrethin e tij, ai kontribuon në ndërtimin e një mjedisi më të mirë, më të drejtë dhe më të mëshirshëm. Ndaj, le ta kemi parasysh se ndikimi i lidhjes individuale është fara që mbin në fushën e jetës shoqërore.

  1. Kujtimet dhe lidhjet tona janë trashëgimi për brezat e ardhshëm

Përmes tregimeve, përvojave dhe kujtimeve të përbashkëta, ne ruajmë identitetin tonë shpirtëror, kulturor dhe kombëtar. Çdo bisedë me kuptim, çdo ngjarje e kujtuar dhe çdo përvojë e ndarë bëhet urë lidhëse mes të kaluarës dhe të ardhmes. Duke i trashëguar këto vlera tek fëmijët tanë, ne jo vetëm që ruajmë historinë tonë, por edhe forcojmë lidhjen e tyre me rrënjët islame dhe shqiptare. Në këtë mënyrë, kujtimet tona nuk mbeten vetëm pjesë e së kaluarës, por shndërrohen në dritë udhëzuese për brezat që vijnë.

Zgjimi nga Jeta Monotone

Më poshtë do të përmendi katër pika thelbësore në arritjen ose ruajtjen e gjallërisë në jetë.

  1. Dallo dhe reflekto mbi mirësitë e dhuruara

Ndal pak dhe mendo për gjithçka që Allahu të ka dhuruar — shëndetin, familjen, kohën, dhe çdo mundësi që të është dhënë. Pyet veten: si po i përdor këto dhurata? Reflektimi mbi begatitë na largon nga ankesat dhe na mëson të jetojmë me falënderim e vetëdije. Transmetohet se Profeti Muhammed (a.s.) ka thënë:

ٱلتََّحُّدُثِ بِنْعَمِة ٱللهَُِّ شْكٌر،َوتَْرُكُهُ كفٌْر

“Të flasësh për mirësitë e Allahut është falënderim (ndaj Zotit), ndërsa të lësh pas (përmendjen) është fe-mohim (kufr).” (Transmeton Imam Ahmedi)

  1. Përqafo thjeshtësinë

Mos e ngarko jetën me kërkesa të panevojshme. Shpesh, bukuria e jetës qëndron te momentet e vogla, të qeta e me kuptim. Një filxhan çaji me të dashurit, një ecje në natyrë, një fjalë e mirë — janë ato që ushqejnë zemrën. Thjeshtësia është urtësi, sepse ajo na kthen te thelbi i jetës dhe te lidhja me njerëzit dhe me Zotin.

  1. Shfrytëzo mundësitë që të ofron vendi dhe shoqëria përreth teje

Prania jote në një vend është me caktimin e Allahut. Ji aktiv në komunitet, merr pjesë në gëzimet e njerëzve dhe qëndro pranë tyre në dhimbje. Mendimi se do të ishte më mirë në një vend ose shoqëri tjetër nuk është i gabuar; çdo njeri duhet të synojë gjithmonë më të mirën. Por mosshfrytëzimi i mundësive që ofron vendi dhe indiferenca ndaj njerëzve përreth nuk janë qëndrime të drejta, sepse vendi dhe njerëzit përreth mbeten gjithmonë një test nga Allahu, për të parë nëse ne bëjmë të mirën aty ku ndodhemi dhe me ata që na rrethojnë.

Profeti Muhammed (a.s.) kujdesej për secilin njeri, madje edhe për ata që shoqëria i linte në hije. Kur një grua që pastronte xhaminë ndërroi jetë dhe ai nuk u njoftua. Profetit (a.s.) nuk i erdhi mirë që nuk ishte informuar, ngaqë shokët e tij nuk e panë të rëndësishme ta shqetësonin atë. Ai menjëherë vizitoi varrin e saj dhe fali për të namazin e xhenazes. Kjo tregon se çdo njeri në komunitet ka vlerë dhe se kujdesi ndaj të tjerëve dhe lidhja me ta nuk duhet të injorohet, pavarësisht sa të vegjël apo të dukshëm mund të jenë ata në shoqëri.

Transmetohet se i Dërguari i Allahut thotë në një hadith:

من َلم يَهتَم  ِبأَمر المُسلِمَين فَليْس منْهم

“Kush nuk kujdeset për çështjet e myslimanëve, nuk është prej tyre.” (Transmeton Imam ElTabarānī në al-Muʿxhem el-Evsaṭ)

  1. Ji i pranishëm me njerëzit duke shfaqur vëmendje të plotë

Mos-shfrytëzimi i mundësive që të ofrohen dhe indiferenca ndaj të tjerëve shpesh e bën njeriun mendjemadh dhe të pranishëm vetëm fizikisht, jo shpirtërisht. Profeti Muhammed (a.s.) ishte shembulli më i lartë i vëmendjes dhe përkujdesjes ndaj njerëzve. Imam al-Tirmidhi në librin Shamā’il përmend se Profeti (a.s.) ndante kohën e tij mes Allahut, familjes, vetes dhe njerëzve, duke u përkushtuar plotësisht ndaj secilit. Kur dikush i fliste, ai ia kushtonte vëmendjen e plotë, pa shpërqendrim, pavarësisht sa i zënë ishte. Edhe kur dikush e ngacmoi për një borxh para afatit, Profeti (a.s.) qëndroi i qetë dhe i drejtë.

Kur reflektojmë mbi lidhjen e tij me Allahun, shohim se ai ishte gjithmonë i pranishëm dhe i përqendruar. Ai nuk e shihte namazin si një detyrim të rëndë, por si burim qetësie shpirtërore, duke thënë:

جعلت ُقّرةُ َعيْني ِفي الصلاة

“Kënaqësia dhe qetësia e syve të mi është në namaz.” (Transmeton Imam En-Nesā’ī dhe Imam Ahmed)

Vëllezër dhe motra, për t’u rilidhur me Krijuesin, me veten dhe me të tjerët, duhet të vërejmë përreth, të çmojmë bekimet tona dhe njerëzit që Allahu ka vendosur në jetën tonë. Të ndajmë kujtime, të ndërtojmë lidhje dhe të investojmë në thjeshtësi e prani. I Dërguari i Allahut dhe brezat e mëparshëm të devotshëm jetonin me më pak, por fitonin më shumë — më shumë qetësi, më shumë lidhje, më shumë dritë në zemër. Le të frymëzohemi prej tyre dhe të kërkojmë një jetë me kuptim, mirënjohje dhe ndjeshmëri.

Shkarkoje në pdf