Karakteri i Hz. Muhamedit (a.s.)…

Karakteri i Hz. Muhamedit (a.s.)

Karakteri i Hz. Muhamedit (a.s.); Frutet e një Udhëheqjeje të Bazuar në Dashuri dhe Mëshirë

Nga Imam Didmar Faja

 5 Shtator, 2025

Hyrje

Historia njerëzore ka njohur udhëheqës të ndryshëm, të cilët kanë sunduar me forcë, pushtet apo pasuri. Por rrallë ka ndodhur që një udhëheqës të ngrejë themelet e tij mbi dashurinë dhe mëshirën, duke fituar zemrat e njerëzve jo me dhunë, por me butësi, sakrificë dhe shembull personal. Ky udhëheqës i jashtëzakonshëm është i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.).

Ai nuk ndërtoi thjesht një shtet apo një shoqëri, por ndërtoi zemra, formoi karaktere dhe frymëzoi breza që të ecin drejt paqes dhe të mirës. Dashuria e tij për njerëzit, vendlindjen, qytetin ku emigroi, si dhe mëshira e tij edhe ndaj kundërshtarëve, janë gurët themeltarë të udhëheqjes së tij.

Ky artikull përmbledh disa prej këtyre dimensioneve të karakterit të tij, duke na treguar se si dashuria dhe mëshira janë frutat më të bukura të udhëheqjes profetike.

Të duash njerëzit

Dashuria ndaj njerëzve dhe dëshira që ata të udhëzohen ishte pjesë e pandashme e personalitetit të Profetit (a.s.). Edhe kur përballej me armiqësi e dhunë, ai lutej:

“O Allah, falja popullin tim, sepse ata nuk dinë.” (Buhariu në Edebul-Mufred dhe Muslimi)

Kur Profeti (a.s.) hyri në Medinë, vajzat e fisit Benu Naxh-xhar e pritën me këngë dhe daulle duke thënë:

“Ne jemi vajzat e Benu Naxh-xharit, sa i mrekullueshëm është Muhamedi si fqinj!” Profeti (a.s.) i pyeti: “A më doni?” Ato iu përgjigjën: “Po.” Atëherë ai tha:

“Allahu e di se unë ju dua.” (Musned Ibn Maxheh)

Kjo dashuri nuk mbeti vetëm në fjalë, por u konkretizua me vepra. Profeti (a.s.) që në ditët e para të qëndrimit në Medinë vendosi vëllazërimin mes muhaxhirëve dhe ensarëve dhe pajtoi fise që kishin vite në konflikt.

Banorët e Medinës treguan dashuri të jashtëzakonshme për emigrantët, duke ndarë pasuritë dhe shtëpitë e tyre, madje duke i vendosur ata para vetes së tyre. Kjo sakrificë dhe dashuri është përshkruar në Kuran:

“Ndërsa ata që banonin në këtë qytet dhe e pranuan besimin para tyre, i duan ata që erdhën të mërguar tek ata, dhe nuk ndiejnë smirë për atë që u është dhënë. Ata i japin përparësi atyre para vetes së tyre, edhe nëse ata vetë gjenden në nevojë.” (el-Hashr, 9)

Dashuria e veçantë për vendlindjen

Muslimani ka dashuri për vendlindjen e tij. Është krejt normale që njeriu të ketë një lidhje të veçantë me vendin ku është rritur, sepse aty gjenden kujtimet dhe ndjenjat e para që nguliten thellë në shpirtin e tij. Këtë e shohim edhe në fjalët e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (a.s.), i cili, duke iu drejtuar Mekës, tha:

“Pasha Allahun, ti je toka më e mirë e Allahut dhe më e dashura për mua. Sikur populli yt të mos më kishte nxjerrë, unë kurrë nuk do të isha larguar prej teje.” (Jami’ et-Tirmidhi)

Këtu kuptohet se Mekka nuk ishte vetëm vendlindja e tij, por edhe vendi më i shenjtë për shkak të pranisë së Qabes së bekuar.

Të duash vendin ku jeton dhe të ofron mundësi të reja

Shpesh njerëzit emigrojnë në kërkim të mundësive të reja. Edhe pse vendi i ri nuk mund të zëvendësojë vendlindjen, muslimani duhet të ruajë vlerat islame, si në vendin e tij të origjinës, ashtu edhe në vendin ku vendoset. Ai duhet të kontribuojë për përmirësimin e shoqërisë së re, pasi pas një kohe të caktuar bëhet pjesë e saj.

I Dërguari i Allahut (a.s.), kur u detyrua të emigronte në Medinë, u lut kështu:

“O Allah, na bëje të duam Medinën ashtu si e duam Mekën, madje edhe më shumë.” (Sahih Buhari dhe Muslim)

Medina, e cila më parë quhej Jethrib – një vend i njohur për sëmundjet dhe konfliktet e brendshme mes fiseve Aws dhe Hazrexh – u shndërrua në qytet të begatë me ardhjen e Profetit (a.s.). Ai vendosi paqe mes fiseve dhe u përcolli banorëve vlerat universale të Islamit. Për këtë arsye, ai e quajti qytetin “Medina” (Qyteti) ose “Ṭaybah” (E Mira), duke i dhënë një identitet të ri të bazuar mbi dashurinë dhe pastërtinë.

Mëshira ndaj kundërshtarëve

Mëshira e tij u shfaq më qartë se kurrë në ditën e çlirimit të Mekës. Ai hyri me një ushtri që nuk mund të përballohej, por në vend të hakmarrjes, tha:

“Çfarë mendoni se do të bëj me ju?” Ata iu përgjigjën: “Ti je vëlla fisnik dhe biri i një vëllai fisnik.”

Atëherë Profeti (a.s.) shpalli fjalët e pavdekshme: “Shkoni, ju jeni të lirë.” (Ibn Hisham, Sirah; Taberiu, Tarih)

Ky ishte momenti i madh i faljes, ku armiqtë e djeshëm u shndërruan në vëllezër të falur.

Përfundim

 Nga jeta e Profetit Muhamed (a.s.) mësojmë se udhëheqja e tij ishte e ngritur mbi dashuri dhe mëshirë. Ai e deshi vendlindjen, e deshi vendin ku jetoi pas emigrimit, i deshi njerëzit pavarësisht prejardhjes së tyre dhe tregoi mëshirë edhe për kundërshtarët.

Kjo dashuri dhe mëshirë nuk ishin thjesht ndjenja, por u shndërruan në realitet shoqëror: në paqe, drejtësi, vëllazëri dhe harmoni. Dhe ky është fruti më i madh i udhëheqjes së tij: një qytet i ndriçuar me dritën e shpirtit dhe të vlerave universale të Islamit, që vazhdon të frymëzojë botën deri në ditët tona.

Kliko këtu për ta shkarkuar në pdf