“Per Shkodrën, e di ti, kam nostaligji të vazhdueshme…”

Rrjetet sociale të ndryshme dje dhe sot shrkruajnë mbi ndarjen nga kjo botë të një nga hoxhallarëve dhe mendimtarëve të shquar Islam nga Prizreni i Kosovës, Muhidin ef. Ahmeti. Kushdo që lexon shkrimet dhe komentet e ndryshme rreth rahmetliut, edhe nëse nuk e ka njohur, kupton shpejt se këtë hoxhë, profesor dhe mendimtarë të nderuar, njerëzit e kan dashur shumë. Arsyet: Besimi plot bindje, gërshetimi i diturisë me praktikën, modestia, dashuria, edukata e lartë dhe buzëqeshja. Ishin po këto cilësi që edhe mua më afruan me të dhe menjëherë profesor Muhidini (sic e quanim ne, nxënësit e Medresesë në Shkodër) më hyri në zemër.

Ardhja e profesorit, ishte në fillim të viteve 90 në Shkodër, ku lirija e besimit sapo kishte filluar të rikthente rrezet e saj të para në zemrat e lodhura dhe të ftohta të një pjese dërmuese të njerëzve. Ai filloi të na mësonte Besimin Islam në medresenë Haxhi Sheh Shamia, dhe shumë shpejt, me cilësitë e tij fisnike filloi të linte gjurmë në mendjet dhe zemrat tona. Nuk e shikoja të mjaftueshme vetëm praninë e tij në klasë, por fillova t’i qëndroj afër dhe pas shkollës. E ftoja në shtëpi që mirësitë e tija t’i ndaja dhe me familjen time. Shkoja shpesh herë edhe në shtëpinë e tij. Nuk mund të lë pa përmendur dhe gruan e tij fisnike, fetare dhe të ditur, znj. Fahire Ahmeti, e cila na priste me zemër të bardhë. Dashuria për Pejgamberin (a.s.) spikate tek të dy. Më kujtohet një herë pasioni i madh i tyre duke na mësuar ilahin e famëshme në gjuhën arabe: “El-Kasidetul Makbuleh (sal-li ja Rab-bi ve sel-lim, alen-nebij hajril berij-jeh)”.

Nuk mungoi prania e tij në mediat e asaj kohe në Shqipëri, Ai e përhapi dhe më shumë veprimtarinë e tij fetare përmes hytbeve të shumta dhe ligjëratave të ndryshme nëpër xhamitë e Shkodrës, si dhe artikujt në gazetat dhe revistat Islame, temat e të cilave ishin të lidhura ngusht me jetën sociale të muslimanëve. E njihte mirë Jurisprudencën Islame (në vëcanti atë Hanefi), shkencën e Akides, logjikën dhe filosofinë Islame, si dhe shumë lëmi të ndryshme fetare. Kënaqëshe ta dëgjoje, se më të vërtetë, sinqeriteti manifestohej në cdo fjalë që i dilte nga goja.

Profesori e donte Shkodrën shumë. Në një email e falenderova nga zemra për të gjithë mundin e tij që e ka dhënë në Shkodër. Më shkroi: “…për Shkodrën, e di ti, kam nostaligji te vazhdueshme.”

Megjithëse distanca e vendeve ku jetonim ishin shumë të largëta, ato afroheshin përmes lutjeve dhe korrespondencës së mesazheve. Isha shumë i lumtuar që librin tim të parë t’ia dedikoja hoxhallarëve dhe mësuesëve të mi, prej të cilëve nuk kam marrur thjeshtë njohuri, por edhe kulturë dhe sjellje. Me disa prej tyre kam qëndruar pak, por kam përfituar shumë, ndërsa me disa të tjerë kam qëndruar shumë, por kam përfituar edhe më shumë. Profesori ishte një nga ata me të cilët kam qëndruar shumë dhe kam përfituar edhe më shumë. Isha i gëzuar nga fakti se e dija se do të ndiente një kënaqësi shpirtërore kur ta merrte librin dhe ta lexonte se një nga mësuesit, për të cilin libri i ishte dedikuar, ishte dhe ai. Jo thjeshtë se emri i tij gjëndej në, por ndoshta kënaqësia më e madhe ishte dëshmia e një përpjekjeje shumë vjecare frutdhënëse. E një nga frutet e asaj përkjeje isha dhe unë. Kur e mori librin rahmetliu më dërgoj mesazh duke u shprehur: “Selamun Alejkum i nderuari dhe i paharruari Ditmar…të falenderoj për nderin që na ke bërë që të jemi në listën e atyre njerëzve të nderuar dhe të dashur.” Një shprehje thotë: “Njeriu bujar është i ai, të cilit i bën një shërbesë të thjeshtë dhe të bën të ndihesh sikur ke bërë për të të pamundurën.” Zotit i lutem që të na bashkojë me Muhidin ef. Ahmetin dhe bashkë me të Dërguarin e Allahut në Xhennetet Firdevs.

Imam Didmar Faja

United Islamic Center of Arizona, ShBA